Këshilla
Ndiheni shumë të tronditur sepse dikush që ju e keni përzemër ka krijuar varësi ndaj kumarit? Është e vështirë ta përballoni, por ka disa mënyra sesi mund të ndihmoni veten tuaj.
Të ndiheni keq është normale
Shumë persona e kanë të vështirë të kuptojnë sesi është e mundur që dikush mos t’i thotë dot jo kumarit edhe pse ai po i shkakton probleme. Ndaj është normale të ndiheni të inatosur dhe të mërzitur me lojtarët e kumarit.
Njerëzit zakonisht pyesin: “Si mund t’i bëj ta ndalojnë?” apo “Çfarë mund të bëj që ata të kuptojnë se e kanë gabim?”
Nëqoftëse një person i dashur për ju ka probleme me kumarin ka shumë mundësi që ju të keni një marrëdhënie konfliktuale me të. Ju ndoshta keni kaluar shumë kohë dhe energji duke u përpjekur ta largoni personin tuaj të dashur nga kumari ose jeni munduar ta mbuloni atë. Në të njëjtën kohë ju ndoshta jeni shumë të nxehur dhe të mërzitur me të sepse ai ndoshta ka luajtur prapë dhe ndiheni shumë të lodhur duke bërë përpjekje pa rezultat. Personi juaj i dashur ndoshta ka marr para borxh ose edhe ndoshta ka vjedhur para pa marr parasysh mënyrën sesi do i kthejë ato. Ai mund të ketë shitur shumë sende familjare ose edhe prona dhe ndoshta është futur në borxhe shumë të mëdha. Është normale që lojtarët e kumarit problematik të kërkojnë mbështetjen e familjarëve të tyre apo edhe miqve për rrugën jo të mirë që kanë marrë, por vendimi për të hequr dorë nga kjo varësi është i tyre. Sado ju të dëshironi me shpirt, ju nuk mund ta ndaloni dot atë të luajë kumar. Sidoqoftë ju mund ta inkurajoni atë të kërkojë ndihmë, ta mbështesni në përpjekjet e tij dhe të flisni me të nëqoftëse ka tentativë serioze për vetëvrasje.
Shenjat që tregojnë Problem
A jeni të bindur se një person i afërmi i juaj ka krijuar varësi ndaj kumarit, por nuk jeni të sigurt se ku të kërkoni për të mësuar më shumë rreth varësisë së tij? Duke kuptuar shenjat dalluese ju mund të ndjeheni më të sigurt për hapat që do ndërmerrni.
Është e natyrshme që ju të vëreni ndryshime në financat e personit, në sjellje dhe në mënyrën e menaxhimit të kohës.
Shenjat financiare
- Mungesa të theksuara dhe të pajustifikuara të parave në llogaritë bankare apo dhe në portofol.
- Sende me vlerë të zhdukura në shtëpi.
- Lojtarët e kumarit ngelen gjithnjë pa para me vete.
- Gjithnjë kërkojnë para borxh.
- Nuk tregojnë mbi gjendjen e tyre financiare.
- Fatura të papaguara.
- Mungesë përgjegjshmërie në përgjithësi.
Shenjat e ndryshimit të sjelljes dhe humorit
- Është i tërhequr nga eventet apo bashkimet e zakonshme familjare.
- Ulje performance në punë.
- Ndihet i frustruar apo i merzitur për asnjë arsye.
- Ka ndryshime në personalitet – në seks, në oreks ose dhe pagjumësi.
- Gënjen dhe manipulon lehtësisht.
Mënyra e shpenzimit së kohës
- Harxhon shumë kohë në celular duke parë website kumari.
- Ka vonesa të shpeshta dhe të pajustifikuara në shtëpi apo edhe në punë.
- Harxhon shumë kohë qoftë dhe kur shkon për të blerë diçka të vogel (Shkon për në dyqan dhe e shfrytëzon rastin për të luajtur apo për të vënë një bast).
- Nuk lidhesh dot në telefon.
- Nuk ka kohë për aktivitete të përditshme.
Mësoni të thyeni heshtjen
Para së gjithash duhet të mirë informoheni. Përpara se të diskutoni mbi këtë temë me personin i cili ka krijuar varësi, ju duhet të kuptoni sesi kjo varësi krijohet dhe të dini mirë mënyrat sesi dilet nga kjo situatë. Nëqoftëse ju apo familjarët tuaj duhet të përballeni me lojtarin, është e rëndësishme që të keni mbështetjen e një këshilluesi mbi këtë varësi. Rolin e një këshilluesi e kryejmë dhe ne online.
Zgjidhni kohën e duhur për të folur
Nëse personi i cili ka probleme me kumarin po has probleme në jetën e tij për këtë shkak, ata mund të jenë të gatshëm të fillojnë të flasin për këtë problem. Është e rëndësishme të shmangni fjalën “Ti” nga përdorimi në bashkëbisedim, dhe në vend të saj do ishte më e këshillueshme që fjalia të përqasej në formën e “Unë besoj se” apo “unë mendoj se” duke përdorur këto mënyra në komunikim ju ulni rrezikun e mosmarrëveshjeve gjatë bisedimit.
Duhet të jeni të vendosur
Kur të jeni duke biseduar me lojtarin e kumarit rekomandohet që në fillim të bisedës të negocioni mbi pritshmërite e bisedës dhe vendosjen e disa limiteve. Bëjani të qartë së çfarë prisni ju nga ata, mbi financat dhe mbi gjendjen emocionale të familjes përfshirë këtu dhe mbajtjen e disa përgjegjësive.
Shmangni dhënien e parave borxh.
Ti lini apo ti jepni para për të menaxhuar dikujt i cili është i varur nga kumari është një vendim i vështirë për tu marr. Duhet te jete i vështirë, sepse lojtarët e kumarit me shumë gjasa mund të shkojnë përsëri të luajnë kumar. Por dhënien e parave mund ta përdorni në të mirën e të dyve. Përshëmbull, ju mund të shpërbleni lojtarët e kumarit me një shumë monetare për të larë një detyrim ose borxh të tyre, por gjithmonë kur të jeni të sigurt që ka një përmirësim të situatës.
Por kujdes, kur personi ka larë të gjitha detyrimet e tij në mënyrë të shpejtë, ai ka shumë mundësi të kthehet përsëri të luajë kumar. Ai mund të fillojë ti mbushë mendjen vetes se nje bast i vogel nuk do të jetë problem derisa ka larë gjithë ato borxhe.
Gjithsesi kujdes, përpara se ti ndihmoni kini parasysh se ata bëhen shumë të mire dhe të dashur kur kërkojnë para borxh.
Mbështeteni lojtarin kur nisin ndryshimet pozitive
Duhet të jeni të aftë të njihni hapat e para pozitive që lojtari është duke kryer dhe përgëzojeni atë gjatë gjithë kohës që ai hedh hapa pozitive. Mos harroni të flisni rregullisht me të. Ju duhet të qëndroni të informuar pas çdo dite në lidhje me ecurinë e tij. Mos hezitoni ta pyesni atë sesi mund ta ndihmoni në momente të caktuara.
Kujdesuni për fëmijët tuaj
Kur një prind në familje ka probleme me varësinë ndaj kumarit, kjo mund të krijojë një impakt shumë të madh negativ te fëmija. Sipas statistikave thuhet se femijët e prindërve me probleme me kumarin janë më të predispozuar për krijimin e varësisë së njëjtë si prindi i tyre. Përveç kësaj kumari në familje mund të ketë një impakt jashtëzakonisht shkatërrues.
Në raste ekstreme kumari mund të shkaktojë te fëmijët :
- Mungesë në ushqim
- Mungesë në rroba
- Mungesë aktivitetesh jashtëshkollore si kurset, sportet apo dhe eskursione të ndryshme
- Përjeton ankth dhe strese të panevojshme në shtëpi
- Përjeton lëvizje të panevojshme të strehës (kur familjarët kanë probleme me qiratë apo arrijnë të shesin dhe shtëpinë)
Çfarë duhet të bëni dhe çfarë nuk duhet të bëni? (Për familjarët e lojtarëve të kumarit)
Çfarë duhet të bëni:
- Kërkoni mbështetjen e të tjerëve me probleme të tilla në familje, dhe merrni pjesë në forume me këtë tematikë
- Shpjegoni problemin e kumarit fëmijëve tuaj.
- Mundohuni të njihni dhe të pranoni karakteristikat e mira të personit me varësinë e kumarit.
- Mundohuni të qëndroni të qetë kur flisni me të për problemin e kumarit dhe pasojat e tij.
- Bëjani të ditur personit të prekur nga varësia e kumarit që ju po kërkoni ndihmë për të mirën tuaj sepse pasojat e kumarit po prekin ju dhe gjithë familjen.
- Duhet të kuptoni nevojën e pashmangshme për terapi pavarësisht kohës që ajo do të marrë.
- Mbani në kontroll financat e familjes tuaj.
Çfarë nuk duhet të bëni:
- Mos e lejoni veten të humbisni qetësinë.
- Nuk duhet të kërcënoni apo të jepni ultimatiume në çastin që ju merrni përsipër ta mbështesni atë.
- Mos e përjashtoni lojtarin e kumarit nga familja apo aktivitetet e familjes, mbajeni afër.
- Mos prisni shërim të menjëhershëm, apo që problemet të ndalen kur personat mos të luajnë më.
- Mos i jepni para kur nuk jeni të bindur.
- Mos e mohoni ekzistencën e problemit në vetvete, në familje apo te të tjerët.
MOS HARRONI, sëmundja e kumarit është një sëmundje e FSHEHUR.
Është shumë e vështirë të kuptoni dikë që ka probleme me kumarin, pa i’ua thënë ai vetë. Instiktivisht, ne nuk duam ta besojmë që personi ynë i zemrës apo një i afërm i yni ka probleme me kumarin. Kështu që, vështirësia që ne të kuptojmë problemet e tyre bëhet më e madhe, mbi të gjitha kur ata persona pyeten mbi ndonjë dyshim të vogël, ata përgjigjen me inat dhe duke gënjyer për të mohuar faktin se ata vërtetë kanë probleme me kumarin.
Dëshironi të ndihmoni dikë, i cili ka varësi ndaj kumarit, që e keni përzemër por nuk dini sesi? Do t’ju ndihmojmë të kuptoni sesi ata ndihen dhe në çfarë faze të ndryshimit janë ata.
Si ti kuptoni ata:
Të kuptoni sesi ata persona ndihen, do t’ju ndihmojë për të komunikuar me ta në mënyrë më efektive.
Nëqoftëse një person ndihet i kuptuar nga personi bashkëfoles, ai ndihet më mirë dhe mund të ndihmojë të krijoni diçka në të mirë të tij.
Lojtari i kumarit ndihet:
I turpëruar dhe fajtor – Këto ndjenja vijnë sipas ndjesive të cilat ia shkaktojnë personat rrethues. Duke përjetuar këto ndjesira ata nuk mendojnë qartësisht për të ardhmen e tyre dhe vështirë se ndajnë të mirën nga e keqja duke menduar se nuk kanë çfarë humbasin më. Këto ndjesi mund t’i çojnë ata përsëri për të luajtur kumar.
Të dëshpëruar për humbjet e parave ata mund të luajnë akoma, kështu dalin nga vetvetja dhe mund të bëjnë veprime të papërgjegjshme. Këto veprime mund të shokojnë familjarët e tij.
Si rezultat i këtyre, ju (i afërm) mund të ndjeheni:
I inatosur, i lënduar dhe i zhgënjyer. Është e vështirë të përballeni me këto ndjesira dhe të jeni akoma të qetë kur përpiqeni të kuptoni personin që ju ka çuar drejt kësaj vështirësie psikologjike dhe financiare.