Varësia nga kumari
Varësia nga kumari prek këdo, meshkuj dhe femra, të rinj e të moshuar, të varfër e të pasur. Një person i cili ka krijuar varësi nga kumari nuk mund të kontrollojë impulsin e kontrollit gjatë lojës së kumarit, edhe nëqoftëse është i vetëdijshëm që më vonë do të ketë pasoja mbi të.
Personi i varur nga kumari do të luajë edhe nëqoftëse është moralisht mirë ose keq, trokë ose i pasur, por edhe kur e di se probabiliteti është kundër tij ose edhe nëqoftëse ai nuk mund të përballojë dot pasojat që mund të sjellë humbja. Kumari problematik është çdo sjellje e të luajturit e cila sjell shqetësim në jetën e lojtarit. Nëse personi vazhdimisht harxhon shumë e më shumë kohë dhe para në të, duke humbur herë pas here, ose duke luajtur pavarësisht pasojave serioze në jetën e tij, PO, ËSHTË I VARUR NGA KUMARI.
Varësia nga kumari është shpesh e lidhur me sjellje të tjera ose çrregullime humori. Shumë persona të varur nga kumari gjithashtu vuajnë nga stresi, depresioni, ankthi ose nga bipolariteti. Njerëzit luajnë kumar për arsye të ndryshme dhe e bëjnë atë në mënyra të ndryshme. Disa luajnë për të ndjerë emocione, disa për të fituar dhe disa të tjerë për tu arratisur nga problemet e realitetit. Varësia nga kumari njihet si një varësi e fshehur sepse ajo nuk sjell pasoja fizike të menjëhershme siç sjell abuzimi me drogën apo me alkoolin. Duke qenë e fshehur, është shumë e vështirë nga familjarët apo miqtë të vihet re derisa pasojat fizike, emocionale apo edhe financiare të dalin në sipërfaqe, sepse gjithashtu lojtarët e kumarit kanë tendencen të mohojnë apo të minimizojnë problemin e tyre, duke gënjyer madje dhe veten e tyre ndonjëhere. Por, lajmi i mirë është se KJO VARËSI KA FILLUAR TË TRAJTOHET DHE SHËRIMI ËSHTË I MUNDUR!
“Albanian Council on Problem Gambling’’ ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për problemet e kumarit, të parandalojë zhvillimin e varësise në komunitet, dhe të ndihmojë personat e prekur nga varësia për tu trajtuar.
Eksploroni burimet tona për të mësuar më shumë rreth problemeve që shkakton kumari, të mësoni për shenjat, shkaqet, pasojat dhe trajtimin e tij. Do të gjeni një mbështetje për veten ose të dashurit tuaj të prekur nga kjo varësi.
Llojet e varësisë
Kumari është një aktivitet i shumëllojshëm, prandaj ekzistojnë lloje të ndryshme të varësise. Në kundërshtim me opinionin publik, loja e kumarit nuk është vetëm makineri slot, baste apo edhe kazino. Blerja e një bilete ‘gërvisht dhe fito’ ose dhe të vendosësh bast me një shok është gjithashtu një formë e të luajturit kumar.
Çfarë e shkakton varësinë?
Shumë faktorë mund të çojnë drejt varësisë së kumarit, duke përfshirë këtu nevojën dëshpëruese për para, dëshirën aventuriere për të përjetuar emocione të forta dhe më kryesorja ka të bëjë me ambientin rrethues siç është shoqëria, lokalet e basteve përreth etj. Fatkeqësisht sapo varësia fillon të lulëzojë, kurimi i saj bëhet shumë i vështirë. Dy janë faktorët kryesor qe ndikojnë në shkaktimin e varësisë së kumarit, faktorët biologjikë dhe faktorët e ambientit rrethues. Kërkuesit kanë konstatuar se ka ngjashmëri mes të varurëve nga kumari dhe atyre nga alkooli apo përdorimi i drogërave. Kumari aktivizon pjesën qëndrore të trurit. Truri lëshon dopaminën në doza të larta duke i siguruar lojtarit të kumarit një ndjenjë shumë të fortë kënaqësie. Studimet me njerëzit të cilët janë të varur nga kumari thonë se ata kanë nivel të ulët të norepinephrinës. Probleme të ndryshme mund të influencojnë në varësinë e kumarit. Një person i dëshpëruar për shëmbull mund të luajë kumar se ndihet i mërzitur ose bosh në vetvete. Gjithashtu varësia mund të shkaktohet edhe kur një person në gjëndje jo të mirë ekonomike e shikon kumarin si zgjidhje dhe në përpjekje për të fituar një sasi të madhe paraje, fatkeqësisht futet në rrethin në të cilin lojtari i kumarit kërkon të fitojë paratë që ka humbur dhe ka marr borxh. Dhe më pas e gjen veten duke kërkuar ndihmë në momentin që shikon se i është shkatërruar jeta.
Personat me personalitet të paprovuar më parë në situata të tilla mund të bëhen menjëherë të varur nga kumari.
Kë prek kryesisht varësia
Varësia nga kumari mund të prek këdo. Mund të ndodhë në çdo moshë, qoftë te femrat qoftë te meshkujt. Sipas studimeve, e vërteta është se varësia nga kumari ka probabilitet të shfaqet edhe më shumë te personat të cilët kanë në familje persona të tjerë të prekur nga kjo varësi dhe te personat të cilët kanë filluar të luajnë kumar që në moshë të re.
Grupet të cilët janë më të ndjeshëm ndaj varësisë së kumarit dhe ne i kategorizojmë si “grupe risku” janë :
- Të rinjtë, nga mosha 12 deri në 25 të cilët nuk kanë akoma pjekurinë e duhur për të bërë zgjedhjet e duhura në jetë. Kjo sepse deri në moshën 25 vjeçare truri nuk konsiderohet plotësisht i zhvilluar. Deri në këtë moshë të rinjtë duhet të përdorin disa direktiva për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe të duhura për jetën e tyre .
- Shtresat e varfëra të shoqërisë, të cilat e shikojnë kumarin si të vetmen dritë dhe të vetmen mundësi për të dalë nga gjendja momentale që ndodhen.