Situata dramatike që çdokush nga ne është duke përjetuar nga CoronaVirus, mesa duket në jetën e disa familjeve është duke ndikuar pozitivisht të paktën në një farë drejtimi. Cilat janë këto familje?
Familjet në të cilat minimalisht një pjestar i tyre ka probleme me varësitë më të rënda të momentit si: varësia nga lojërat e fatit, varësia nga alkooli, varësia nga lëndët narkotike.
Mund ta themi plot gojën, tanimë varësitë janë pezulluar!
Le t’i shohim një nga një.
Industria e Lojërave të Fatit ndikohet në mënyrë direkte nga sporti i cili është duke përjetuar një nga ndërprerjet më dramatike në historinë e tij. Futbolli, basketbolli, tenisi dhe sporte të tjera janë pezulluar duke reduktuar gjithashtu masivisht pagesat e lojtarëve për shkak të humbjeve galopante financiare të pësuara nga mungesa e të ardhurave nga të drejtat televizive, mungesa e të ardhurave nga sponsorizimet etj. (Lojërat e Fatit janë ndër sponsorat kryesor të sporteve).
Duke patur parasysh ndikimin e kësaj ndërprerjeje në industrinë e lojërave të fatit, vetëm nga mungesa e vendosjes së basteve sportive parashikohet një humbje financiare e cmendur në shifrën prej 450 miliard $ në të gjithë botën. Mungesa e sporteve ndikon thuajse direkte te personat me varësi nga lojërat e fatit duke i ndërprerë ata disi nga të mënduarit vetëm për bastin e rradhës.
Mbyllja në shtëpi e qytetarëve ka ndikuar gjithashtu në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe te industria e pijeve alkoolike e cila prezanton një nga humbjet më të mëdha në historinë e saj që shkon në miliarda $ në shkallë botërore. Mungesa e aktiviteteve shoqërore, mbyllja e bareve, e restoranteve ul ndjeshëm tendencën e personave të alkoolizuar për të zhvilluar varësinë e tyre. Mbi të gjitha, thirrja e mjekëve se alkooli ul imunitetin përpara koronavirus ka trembur disi shumë persona. E çfarë ngelet më për të thënë për përdoruesit e drogërave kur në qarkullim nuk lejohet askush tashmë, aq më pak shpërndarësit e lëndëve narkotike?
Sidoqoftë ndërprerja e këtyre varësive në këtë mënyrë mund të sjellë pasoja psikologjike për individë të veçantë siç mund të jetë rritje e agresivitetit në familje.
Duke qënë se personalisht jam në frontin parë të ndihmës psiko-sociale, më poshtë po përmend disa sugjerime për organizimin e ditës në mënyrë efektive për individët e prekur nga varësitë.
- Të shohin video në youtube të cilat persona të ndryshëm flasin mbi eksperiencat e tyre dhe tregojnë sesi ja kanë dal në rrugën e vështirë të varësisë
- Të interesohen mbi mënyrat e duhura të jetesës për të hequr dorë nga varësitë.
Nga Henri Telharaj