Çfarë është varësia nga kumari?

Shenjat dhe simptomat e varësisë

Shenjat që tregojnë varësi nga kumari janë pothuajse të njëjta me shenjat e varësive të tjera. Disa nga shenjat që tregojnë se keni një varesi nga kumari janë:

  • Gënjeshtra

Personat të cilët kanë probleme me kumarin kanë tendencen ta fshehin varësinë. Kështu ata gënjejnë vazhdimisht të afërmit, apo dhe partnerët e tyre për vendodhjen apo edhe situatat e ndryshme financiare në të cilat ndodhen.

  •  Dëshira për tu rikthyer

Shumë lojtarë thonë se kthehen për të luajtur përsëri kumar sepse mendojnë se do të rifitojnë paratë e humbura. Disa të tjerë thonë se ishin thjesht të pafat, dhe disa të tjerë thonë se nuk përdorën strategjinë e duhur për të fituar dhe herë tjetër do të jetë ndryshe. Por kështu, humbja pason humbjen dhe fillojnë të mendojnë se ku do gjejnë paratë për të shkuar përsëri.

  • Fillojnë të marrin borxh

Çfarë bën një lojtar kumari për të dal nga situatat e vështira të krijuara si pasojë e lojës së tij? Merr borxh. I merr familjes, të afërmve, miqëve dhe kolegëve ndoshta ndonjëherë arrin ti kërkojë dhe të panjohurve. Mundohet të fshehë arsyen e vërtete duke u treguar arsye të tjera bindëse.

  • Luan gjithnjë e më shumë

Dëshira dhe emocioni që i jep loja e kumarit e bën atë që të rrisë gjithnjë e më shumë sasinë e parave për të arritur më shumë kënaqësi dhe emocion. Por, sa më shumë të luajë aq më shumë do të humbasë.

  •  Shqetësohet shumë për lojën

Në këto raste lojtari nuk ndalon së menduari për eksperiencën e kaluar, por edhe për çastin e parë që do i bien para në dorë. Ai ndërkohë që mendon për kumarin, në mendje i kalojnë ide sesi mund të gjejë para për të luajtur persëri.

  • Nuk ndalon dot së luajturi

Lojtari gjithmonë në vetvete ka ndjesinë e frikës se cfarë do të ndodhë nëqoftëse humbet. Në disa raste ai tenton të mos luajë apo ti japë fund lojës, por nuk e lejon nevoja.

  • Luan sepse ia kërkon nevoja

Në rastet kur lojtari tenton ta reduktojë apo dhe në raste të caktuara t’i jap fund lojës, lojtari fillon të ndjejë ankth. Njësoj si një person i varur nga droga apo alkooli, lojtari fillon të ndihet i paduruar, i acaruar dhe në tension nëqoftëse nuk merr  “dozën” e lojës.

  • Luan që të harrojë

Kur luan kumar, lojtari harron vështirësitë që i sjell jeta, harron streset e përditshmërisë. Kumari nuk është më një argëtim për lojtarin, por bëhet aktivitet i cili e bën lojtarin të ndihet i lirë dhe i sigurt në botën e tij.

  • Vjedh ose mashtron për të luajtur

Pavarësisht humbjeve, lojtari këmbëngul për të luajtur dhe fillon të zhytet edhe më shumë në dëshpërim. Marrja borxh nga familjarët, miqtë e të njohurit ndonjëhere nuk mjaftojnë. Për të luajtur përsëri lojtari fillon të kryejë dhe akte ilegale si vjedhja.

  • Loja është më e rëndësishme se çdo gjë për ta

Lojtari është bërë aq shumë i varur nga kumari saqë po fundoset gjithnjë e më shumë në vështirësi ekonomike, familjare apo dhe të punës. E gjithë jeta e lojtarit tashmë rrotullohet rreth lojës dhe gjithë aspektet e jetës së tij kanë filluar të preken negativisht nga kjo varësi. Kumari ka vënë në rrezik familjen, punën dhe mbi te gjitha jetën e lojtarit.

Patjetër, ashtu si dhe në varësite e tjera shenja kryesore që tregon problemin tuaj të kumarit është se ju nuk arrini dot ta ndaloni vesin tuaj. Nëqoftëse ndiheni se duhet të provoni të luani edhe njëherë ose të filloni të ndjeni ankth kur mendoni ta lini si aktivitet, me shumë mundësi po vuani nga varësia e kumarit.

 

Simptomat që shkakton varësia nga kumari janë:

  • Simptomat fizike të një lojtari kumari problematik

Duke qenë se të luajturit kumar shkakton depresion dhe ankth, shumë shenja fizike që shkaktohen duhen trajtuar me kujdes. Depresioni dhe ankthi ndonjëhere të çojnë drejt pagjumësisë, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të bëjë të bini ose të shtoni peshë në mënyrë drastike, gjithashtu shtohen aknet në fytyrë dhe krijohen rrathë poshtë syve.

  • Simptomat emocionale të një lojtari kumari problematik

Varësia nga kumari zakonisht shkakton një shumëllojshmëri simptomash emocionale, duke përfshirë këtu ankthin, depresionin, por edhe tentativat e vetëvrasjeve. Mendime të ndryshme në situata të ndryshme mund ta çojnë lojtarin e kumarit drejt tentativave të vetëvrasjeve. Humbja në kumar e çdo gjëje me vlerë është zhgënjyese dhe krijon situata të pashpresa.

SËBASHKU, NE DO TË PUNOJMË PËR TË MINIMIZUAR PROBLEMET QË SHKAKTON VARËSIA NGA KUMARI

Përse lojtarët humbës vazhdojnë të luajnë kumar?

Kjo pyetje bëhet zakonisht nga miqtë ose personat e afërt të lojtarëve të kumarit sepse nuk arrijnë të kuptojnë se përse ata e çojnë veten e tyre drejt rrënimit ekonomik apo dhe depresionit. Nëqoftëse një gjë e tillë si kumari shkakton kaq shume probleme, përse ata nuk ndalojnë së luajturi dhe të jenë përsëri të lumtur? Gjithsesi, e vërteta është shumë e thjeshtë. Problemet e kumarit zakonisht përjetohen kur situata i ka dal personit nga kontrolli dhe  “STOP”  nuk është më një opsion.

Përveç kësaj, shumë persona të përfshirë tashmë nga varësia e kumarit e gjejnë të vështirë të arsyetojnë se përse ata vazhdojnë të luajnë edhe përse kumari po u shkakton probleme dita ditës. Një përgjigje e zakonshme është edhe “Luaj për të fituar”, por ajo që e hedh poshtë këtë mendësi është: Kur ju fitoni, a i shpenzoni përsëri fitimet në kumar? Vazhdoni të luani derisa mos të ngelet më asnjë para në xhep? Përgjigjia është shumë e thjeshtë,  PO!

Shumë lojtarë kumari ndihen sikur po u afrohet fitorja e madhe “Big Win”, e cila me shumë mundësi kurrë nuk ka për të ardhur, por gjithnjë duket jashtëzakonisht afër. Zakonisht, nevoja për të arritur fitoren e madhe i rrit atyre dëshirën për të luajtur gjithnjë e më shumë, derisa e gjejnë veten të zhytur dhe pa dritë jeshile.