Ligji i ri i cili ndalon ushtrimin e një sërë aktivitetesh të lojërave të fatit kishte si qëllim zhdukjen e varësisë së lojërave të fatit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me varësi dhe familjarëve të tyre, edhe ai nuk po arrin ta përmbushë këtë qëllim në terma total.

Tregu ilegal i lojërave të fatit është gjithnjë e më shumë në rritje edhe pse është duke u luftuar nga instancat përkatëse. Duhen duartrokitur aksionet e ditëve të fundit nga Policia e Shtetit, të cilët kanë goditur një sërë aktivitetesh ilegale në vendin tonë.

Por cilat janë pasojat e mbylljes së lojërave të fatit në mënyrë të shpejtë dhe të papritur sipas analizave studimore të ardhura nga Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit?

(Ndarja është bërë në bazë të grupimeve shoqërore)

Pasojat Pozitive:

  • Të miturit – Duke qënë se ilegaliteti krijon pasiguri pjesa më e madhe e të miturve të cilët ishin implikuar në aktivitete lojërash fati është tërhequr duke u frikësuar nga forca e ligjit.

 

  • Shtresa me probleme ekonomike ose socio-ekonomike – Duke qënë se personat e kësaj shtrese që luanin lojëra fati, luanin në shifra të vogla, pronarët e lojërave ilegale nuk rrezikojnë të zbulohen dhe për pasojë nuk rrezikojnë të ofrojnë shërbim në shifra të vogla sepse e gjykojnë se nuk ja vlen.

 

  • Pjesa më e madhe e lojtarëve të makinerive elektronike – Duke qënë se kazinotë elektronike nëpër rrethe janë mbyllur dhe vetëm kazinoja në Tiranë e ushtron aktivitetin e saj, është e pamundur të luajnë nëpër qytetet përkatëse.

Pasojat Negative:

  • Mbyllja e një pjese të madhe të lojërave të fatit e ardhur në mënyrë të shpejtë dhe e pashoqëruar me politika mbështetëse për lojtarët me probleme varësie, ka sjellë rritje agresiviteti në familje si pasojë e pamundësisë për të luajtur dhe e nevojës për ta kaluar ditën nëpër ambiente lojërash fati duke ushtruar dhunë fizike apo verbale te pjestarët e tjerë të familjes. Kjo situatë shpeshherë i ka çuar ata drejt veseve të tjera të rrezikshme.

 

  • Shtresat me probleme ekonomike – Duke qënë se nuk mund të luajnë më shuma të vogla për shkak të refuzimit nga pronarët e lojërave, detyrohen të luajnë në shuma të mëdha duke krijuar gropa të mëdha ne financat e tyre apo familjes duke marrë borxh apo edhe kredi.

 

Sidoqoftë, kjo periudhë është periudha më e mirë për të reflektuar dhe ndryshuar mënyrën e jetesës për ata që kanë pasur dhe kanë probleme me varësinë e lojërave të fatit. Mbyllja e tyre ka ulur riskun e faktorit ambiental dhe duke qënë se nuk ka më lokale bastesh të dukshme apo reklama për të promovuar lojërat e fatit, këta persona në një farë mënyre nuk influencohen më për të shkuar të luajnë.

Nga Henri Telharaj
Drejtor Ekzekutiv “Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit”