Nga të gjitha varësitë , varësia nga kumari vjen si më e padëmshmja. Ajo nuk ju sjell aromë  të keqe dhe probleme shëndetësore si duhani, ajo nuk ju lejon të shkoni në shtëpi në gjëndje të rënduar fizike dhe të flisni përcart sic ju lejon alkooli, mbi të gjitha ajo nuk i’ua bën sytë e kuq apo t’ju bëjë të humbisni realitetin si drogërat e ndryshme. Varësia nga kumari vjen si argëtim, vjen si e padëmshme dhe nuk ju turpëron në mjedise të ndryshme në impaktin e parë, të dytë apo të tretë. Familja nuk kupton se cfarë keni bërë, shoqëria dhe kolegët po ashtu, ju ndjeheni të lirë dhe përsëri i rregullt sic supozohet se ishit përpara lojës. Ndërkohë që impakti i parë nuk lë vend për dyshime, e përse të lërë i dyti apo i treti? Ju përsëri jeni i njëjti në sytë e të tjerëve.  Jeni ai i rregullti dhe shfaqeni krenar sic supozohet se jeni, në një shoqëri plot me vese. Ju, edhe pas lojës së disajtë, pas dëmeve të mëdha financiare që keni krijuar, dëshironi të jeni po i njëjti: I rregullti, i miri, i kuruari. Dhe, cfarë bëni? Këtu fillon të shfaqen problemet pas shumë kohësh.  Filloni të kërkoni para borxh për të mbyllur dëmet financiare që ju janë krijuar. Dhe, për mos t’u kuptuar jashtë shtëpisë apo rrethit tuaj shoqëror, personi i parë të cilit i kërkoni borxh është personi juaj më i besuar. Kështu do të konsumoheni deri te personi i fundit që keni menduar të kërkoni para borxh. Pas shumë refuzimesh dhe situatash te pakëndshme filloni të kuptoni dëmin kolosal, moral dhe financiar që keni krijuar.

Kumari vret sepse nuk të vret.